Mitologjia Shqiptare: Xhindet, Shqiponja dhe Amelsima

Xhindët në Mitologjinë Shqiptare

Ashtu si Djalli, Xhindet kanë hyrë në demonologjinë shqiptare nga sfera e demonologjisë së feve monoteiste, konkretisht nga demonologjia islame, duke zëvendësuar figura më të hershme të mitologjisë primitive. Xhindet e betytnisë popullore shqiptare gjenden natën gjithkund, jashtë në kopësht, apo në nevojtore. Vendet ku u pëlqen të mblidhen janë cipat e rrëkeve, aty ku derdhen cikat a gjerbat e shiut nga pullazi. Ndaj njeriu nuk duhet të ecë apo të derdhë ujët e hollë natën pa thënë destur dhe bismillah. Për po këtë arsye bënin kujdes edhe gratë që të mos hidhnin ujët e nxehtë me të cilin kishin larë kënanë e nuses, se po të digjnin ndonjë xhind, nusja do të shkallohej.

Në krahina të ndryshme besohet se zbresin netëve nëpër përrenj, duke u rënë daulleve dhe duke bërë potere të madhe. Në Korcë nuk e lënë ujin e të vdekurit vetë në zjarr, se thonë se e pinë Xhindët. Kurse në Tiranë, kur e fusin foshnjën në djep për herë të parë, nën shtroja i shtinë një gozhdë dhe një qese përplot me fara liri, që kur të vinë Xhindet për të marrë foshnjën, të harrohen dyke numëruar kokrrat e melit e të mos i bëjnë keq fëmijës. Në labëri, lehonën nuk e lënë të dalë jashtë për dyzet ditë: thonë se po të dalë përpara kësaj kohe do të shuplaket, sepse do t’i shkelë e kështu të sëmuret e të dalë mendsh.

Kur janë duke kënduar, nuk duhet të thuhet se po këndojnë Xhindet, por Shtojzovallet (Shtoj-Zot-Vallet). Edhe këta zhduken me të dëgjuar këngën e këndezit: ‘…këndoi kokoshi dhe iknë xhinërit’ [Pedersem, Maro Përhitura]. Në Veri, një njeriu të cilit i bie sëmundja e tokës, i thonë “Mos ke shkelë kund në trevezë zanash?”. Shëmbëllyeshëm, sipas besimit popullor, një njeri mund “të shuplaket po të shkelë në sofër (trevezë) të Xhindeve.

Nisur nga kjo e dhënë, ne na duket se Xhindi i besimeve popullore s’është, vec se një Zanë e rrëgjuar dhe e kontaminuar prej një prej figurave më të njohura të demonologjisë islame Xhindi (‘xhini’ në njëjës). Dhe rastet kur nën emrin e krishterë apo islam fshihen mbeturina të figurave më të lashta mitologjike nuk janë të rrallë. Thërriten edhe Mirazt (p. sh., t’shplakin t’mirazt” , Shpat-Elbasan) e Xhine.



Shqiponja në Mitologjinë Shqiptare

Një nga shpendët mitikë më të ndruar nga shqiptarët, e rrethuar prej gjithfarë besimesh e tabush. Thuajse të gjithë shqiptarët vrasjen e saj e konsideronin mëkat të madh. Por edhe në rastet kur vrisnin ndonjë, trupin e saj e hapnin në pozë fluturimi mbi ndonjë dru në kopësht a në arë, sepse besonin se kësisoj pemët apo arat do të kishin prodhime të mbara . Shqiponja është simbol diellor; përfaqëson të gjithë zotat e qiellit; diellin në zenith; parimin shpirtëror; ngjitjen; frymëzimin; clirimin nga skllavëria; fitoren; krenarinë; soditjen; apoteozën; pushtetin mbretëror; autoritetin; fuqinë; lartësinë; element i ajrit.

Mendimi se është e aftë të fluturojë gjer te dielli, ta shikojë atë drejt dhe të identifikohet me të, e bën shqiponjën simbol të parimit shpirtëror të njeriut, i cili është në gjëndjë të ngjitet fluturimthi drejt qiellit.

Shqiponjat dykrenare janë tipare të zotave të dyfishtë dhe përfaqësojnë gjithdijen a një fuqi të dyfishtë. Përleshja midis shqiponjës dhe demit, apo midis shqiponjës dhe luanit, përleshje nga e cila shqiponja del gjithmonë fitimtare, përfaqëson triumfin e shpirtit apo të intelektit mbi mishin. Përleshja midis shqiponjës dhe gjarpërit apo shëmbëlltyra e një shqiponje me një gjarpër ndër kthetra, përshkruan fitoren shpirtërore, ku shqiponja është simbol i fuqive qiellore, kurse gjarpri i fuqive ktonike a nëntokësore; shqiponja është gjithashtu dritë e pamanifestuar, kurse gjarpri terr i pamanifestuar; bashkë ata mbrujnë plotërinë, njësinë kozmike dhe bashkimin e shprtit dhe materies. Shqiponja në krye të një shtyllë është emblemë e zotit të diellit, si sol invictus ngadhnjyes mbi terrin.



Amëlsima në Mitologjinë Shqiptare

Është mënyra që përdoret për të shëruar ndonjë që ka marrë një shuplakë nga hijet, nga Të shuplakurit a Shuplakja. Një plakë e vesh të sëmurin me petka të pastra e të bardha dhe e shpie në ndonjë vend të qetë e të veçuar, apo në ndonjë shtëpi të boshatisur. Sa mbërrijnë atje, ajo i përshëndet hijet si të ishin aty para, e ul të sëmurin në gjunjë, i cili i mbledh duart përpara dhe lutet. Pastaj i jep për të pirë ujë trëndafili dhe rrin ndonja dhjetë minuta me të, pa folur asnjë fjalë, duke përgjuar disa shenja të fshehta. Më në fund hijeve: “Bëfshi natën e mirë”, e ngre të sëmurin dhe e përcjell për në shtëpi, duke përshkuar një rreth. Ngandonjëherë i sëmuri ulet Brenda një rrethi, të shënuar që përpara. Pas tri ditësh, të sëmurin e lajnë me Ujë të Pafolur. Në këtë ujë ziejnë gjethe të ëmbla (gjethe ftoi, shege, molle, trëndafili dhe karafili) dhe gjethe të rënda (gjethe dafine a lari, gjethe selvie, urthi etj.) Numri i gjetheve varet nga shkalla e sëmundjes. Besohet se tri ditë pas kësaj ceremonie i sëmuri e mban mend vendin ku është plakur, atëherë ai stërpiket me ujë trëndafili, të cilin hijet e pëlqekan shumë, ose po hedhin ndonjë gjë të mbështjellë, në mënyrë që ai që ta shkelë, t’i marrë sëmundjen.
Post a Comment

Popular Posts

Pageviews last month