Mitologjia Shqiptare: Pupeza, Bariu i Shenjte dhe Dordoleci

Pupëza në Mitologjinë Shqiptare

Legjenda për Pupëzën shëmbëllen në shumë anë me legjendën e shndërrimit të motrës në qyqe, vetëm se kësaj here, ajo që kthehet në pupëz nuk është motra, por nusja, kurse i vrari nuk është vëllai, porse dy dhëndurrë, dy mëtues, që duan të venë kurorë me të njëjtën vajzë. Ata ndeshen në udhëkryq në krye të dy karvaneve me krushq dhe aty shkrepin pushkët. Nusja e tmerruar dhe e cuditur, nis e bërtet:”Mos! Jo! Prisni! Jo! Pu-pu-pu!” Po përleshja vazhdon dhe nusja që s’mund të bëjë asgjë, i shikon dhe e tmerruar bën vetëm “Pu-pu! Pu-pu!” Zallahia nuk zgjat shumë, sepse në tërbim e sipër, krushqit vrasin njëri-tjetrin, aq sa nuk mbetet askush gjallë. Nusja e tmerruar merr vrapin e ik nga sytë këmbët, duke bërë pu-pu! pu-pu! Dhe në vrap e sipër kthehet në atë zogun e bukur që sot quhet pupëz. Kjo legjendë rrëfehet në Pogradec.



Bariu i Shenjtë në Mitologjinë Shqiptare

Ky është emri poullor i Shën Martinit , mbrojtësit të ujqërve dhe njëherazi të bagëtisë. Në mendësinë popullore shqiptare ai ushqente një nderim të vecantë, sepse për të ndizeshin qirinj në të kremte me karakter fisnor. Bariu i Shenjtë ka disa ngjashmëri me Panin, hyun-bari me brirë dhe me këmbë cjapi, por ka edhe veçoritë e tij, të cilat i gjejmë vetëm tek shqiptarët. Sipas besimeve popullore ai është hyu maleve e pyjeve, gjegjësi mashkullor i Zanës. Përfytyrohet si një njeri vigan që banon i vetëm në pyje. Ai është zotërues i ujqërve, të cilët i ushqen, i drejton, por edhe i dënon. Kur do t’i ushqejë, shenjti u hedh ca kokrra misterioze jeshile, me madhësinë e frutit të dëllenjës , ose i urdhëron që të venë të hanë aksh bagëti të aksh malësori. Por po deshi, ai ua “lidh” gojën e ndonjëherë, edhe i ndëshkon për prapësitë që bëjnë. Njihet edhe me emrat Bariu Hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri), Njeriu i Mirë, Njeriu i Shenjtë apo Njeriu Jeshil.



Dordeleci në Mitologjinë Shqiptare

Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara shqiptarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, kahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Në zanafillë Dordoleci ka përfaqësuar një shëmbëlltyrë të hyut të bujqësisë, i cili, edhe pse u shndërrua në brëndësi, si trajtë u ruajt deri në ditët tona. Ai vihej për të patur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e prodhimit. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Col-I (Picar) etj.





Post a Comment

Popular Posts

Pageviews last month