Enver Hoxha Flet me Salen - Poezi Humoristike

Enver Hoxha: Biri im i dashur Që zbrite nga malet
Dhe ndonjë gabim I vogël të falet.

Dhe ndonjë gabim I vogël të falet
Sepse më je ndeshur Fort me dixhitalet.

Po tash që me shi Na e ktheu vera
Po të vinë prej babës Porosi të tjera.

Sali Berisha: Folë, o babë, i dashur
Folë, o bacë, Enver Me një fjalën tënde Hidhem në humnerë!

Për asnjë çast bosh S’ta lashë istikamin
Me një fjalën tënde Unë djeg gjithë vatanin!

Me një fjalën tënde E qëroj Bollanon
Vras Alfred Moisiun Edhe Fatos Nanon.

Enver Hoxha: Ty, mor, Sali biri
S’të kam hiç merak Se je siç ke qenë Trim dhe luftarak.

Se je siç ke qenë Trim dhe luftarak
Aq sa dhe Partia Të hyri në hak!

Aq sa dhe Partia Të hyri në hak
Sepse të dha grada Nga të gjithë më pak.

Sepse të dha grada Nga të gjithë më pak
Dhe gjithnjë për ty Kishte vënë një cak.

Edhe gjithnjë për ty Kishte vënë një cak
Ndaj dhe të ka bërë Kjo punë pak idhnak.

Tani dëgjo mirë Se nuk ta kam ngenë
Të bëjmë pak pushim Se boll vramë e premë.

Vërtet fjalën time Ti e ke kushtrim
Por jo për të vrarë More biri im!

Por jo për të vrarë More Sali xhani
Se për 1000 vjet Është përmbushur plani.

Se jemi rralluar E s’kemi më duk
Unë vrisja me plumba E ti me pambuk!

Sali Berisha: Komandant i dashur
Unë s’jam eunuk Të heq dorë nga pushka Të qes me pambuk.

Të heq dorë nga pushka Betejën ta humb
Derri për të ngordhur Do patjetër plumb!

Do patjetër plumb S’e them vetëm unë
Dhe derrat e dosat Janë shtuar shumë!

Enver Hoxha: Le të shtohen bir Aq edhe më shumë
Për kauzën tonë S’prishin ndonjë punë.

Për kauzën tonë S’prishin ndonjë punë
Nuk merret me derra Shqipja në furtunë.

Ti je bir shqiponje Bir i Vuçitolit
Ke detyrë të bëhesh Si punë e gogolit.

Si punë e gogolit Të bëhesh, o burrë,
Po vetëm t’i trembësh Mos t’i vrasësh kurrë.

Se na i do puna O bir zemërhekur
Më mirë të trembur Se t’i kesh të dehur!

Më thotë Mao Ce Duni Kur llafos me të
“Një kokë që këputet nuk u ngjitet më”!

Biri im i dashur Mos t’u ndaftë e mira
Tani do vazhdojmë Me ca porosira.

Me ca porosira Që më vinë në ment
Se aty iu duhet Tash një president!

Tash një president Prej lisi e leshi
Jo si ai imi Jo si Haxhi Lleshi!

Sali Berisha: Është pak problem
Punë e presidentit Jo se do ta zgjidhim Tamam pas talentit.

Puna e talentit Ka mbetur tek ura
Puna është se kemi Shumë kandidatura.

Shumë kandidatura Prej liri, prej leshi,
Kuptohet asnjëra S’është si Haxhi Lleshi.

S’është si Haxhi Lleshi Flakë e vetëtimë
Po të gjitha janë Nga çanaku ynë.

Nga çanaku ynë Prej asaj lëtyre
Ose komunistë Ose bij të tyre.

Enver Hoxha: Për këtë unë kurrë S’kam qenë pesimist
Se vendin të tërë Kisha komunist.

Kisha komunist Për botën fanar
Dhe për 1000 vjet Hodha pleh e farë.

Ne jemi si bari Që kurrë s’farohet
Sa më shumë kositet Aq më shumë shumohet.

Ndaj dhe juve hani Copën e hallallit
S’mund të dal në krye Një kopuk i Ballit

Me ç’u bëra unë Medet e medet
Nuk e marrin veten Sot e 1000 vjet.

Për një gjë gjithmonë Kam qenë i sigurtë
Për ty lashë mbrapa Një popull të urtë.

Një popull të urtë Kokulur si ka,
Po s’i bëre mëmën Nuk të thotë baba.

Ta mbaje në vathë Duhej goxha bythë
Po mua baba Më thoshin të gjithë.

Sali Berisha: Komandant i dashur
Dihej ajo punë Të kish babë vatani Dhe Godua dhe unë.

Enver Hoxha: Mos fillo me emra
Se nuk mbaron kurrë Më kishin baba Tejembanë, o, burrë.

Më kishin baba Grurë e jo kashtë
Dhe ata në burg Edhe ata jashtë.

Madje, kur kam ikur Ahere në muzgje
Më shumë se kudo Më kanë qarë në burgje!

Më kanë qarë në burgje More i bekuar
Atyre më shumë Ua kisha lëruar!

More, Sali biri, U llafosëm shumë
Flasim sërish nesër Tash më flihet gjumë.



Poezi humoristike: Argetim dhe zbavitje, humor shqiptar, letersia, poems, humour, gallat, barcoleta, barcaleta, per te qeshur, poezi qesharake, grimca humoristike.

Ju lutemi lini komentin tuaj ne fund, faleminderit!
Post a Comment

Popular Posts

Pageviews last month